Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë një vendim të shkallës së parë dhe të urdhërojë SPAK të hetojë një kallëzim të bërë ndaj kryebashkiakes së Lushnjës, Eriselda Sefa, raporton A2 CNN.
“Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur nga gjyqtarja Miliana Muça.
Kallëzimi i qytetarit A. H. ishte pushuar nga SPAK, vendim që u konfirmua edhe nga Gjykata e Posaçme. Pas ankimit në Shkallën e Dytë, Apeli vendosi t’u hapë dritë jeshile hetimit të SPAK. Në kallëzimin e depozituar në Strukturën e Posaçme, kallëzuesi pretendon shkelje të ligjit nga kryebashkiakja Sefa në një procedurë të dhënies me qira të një pasurie publike. (A2 Televizion)