Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia në Kavajë pas kallëzimit për shfrytëzim prostitucioni.
Sipas denoncimit nga një 30-vjeçare, dyshohet se ajo është shfrytëzuar për tre vite në Shqipëria dhe Itali.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm, të kallëzimit të një shtetaseje 30 vjeçe, se ishte shfrytëzuar për prostitucion, në Shqipëri dhe në Itali, për rreth 3 vjet, nga shtetasi F. I., 42 vjeç, banues në Kavajë, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme mundësuan kapjen dhe vënien në pranga të 42-vjeçarit. Gjithashtu, shërbimet e Policisë, bashkëpunuan me shërbimet sociale, me qëllim akomodimin e 30-vjeçares, në një qendër të përshtatshme për të”, njofton policia.
Sakaq, në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”. (A2 Televizion)