Policia ka publikuar detaje të reja nga operacioni i koduar “Quality”, që çoi në sekuestrimin e 61 kilogramëve kanabis në aeroportin e Rinasit dhe arrestimin e dy shtetasve kinezë, Ye Guozheng dhe Chen Jian.
Mësohet se kanabis me përqindje të lartë të THC-së, i vendosur në katër valixhe, po transportohej nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga Njësia e Informacionit për Pasagjerin, Policia Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Quality”. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë: Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç. Këta shtetas u kapën në flagrancë në hyrje në Rinas me 2 valixhe me rreth 61 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se e kanë trafikuar nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri. Sasi e kanabisit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Po ashtu vijojnë hetimet e thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të tjerë persona që mund të jenë implikuar në këtë rast. (A2 Televizion)