
Një operacion i gjerë antidrogë, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve italiane, zvicerane dhe SPAK-ut, ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, që trafikonin lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Mes personave të arrestuar rezulton edhe një oficer i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, I.Haxhiaj, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, “shtetasi I.H, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore, u ka zbuluar personave të dyshuar të dhëna të akteve procedurale që përbënin ‘sekret hetimor’.”
Hetimet treguan se oficeri kërkonte përfitime monetare të parregullta në këmbim të informacioneve të ndaluara, duke i favorizuar personat nën hetim. Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ekzekutoi vendimin më 27 nëntor 2025.
SPAK konfirmon se procedimet penale janë hetuar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Antimafia në Brescia dhe autoritetet e Zvicrës. Sipas SPAK, “hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal, i cili ka pasur qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike” nga Amerika e Jugut në Europë, përmes rrugëve detare, dhe më pas drejt Italisë me mjete të tonazhit të rëndë.
Në territorin italian, grupi kishte ngritur 6 baza logjistike operative, ku droga ruhej, ndahej dhe shpërndahej. Paratë e përfituara nga shitja lëviznin drejt drejtuesve të grupit përmes të ashtuquajturve “money mules”, mes tyre edhe shoferë autobusi të linjës Itali–Shqipëri.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar më shumë se 1.300 kg kokainë, ndërsa gjatë fazave të tjera të operacionit janë kapur edhe 130 kg drogë (kokainë dhe heroinë) që do të kapte rreth 12 milionë euro në treg. Gjithashtu janë sekuestruar 550 mijë euro cash, 10 automjete dhe një pistoletë gjysmëautomatike.
Në total, ndaj 24 personave është vendosur caktimi i masave të sigurimit, “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” nga autoritetet italiane. Gjashtë prej tyre ndodheshin në Shqipëri tre janë të arrestuar. (A2 Televizion)


