
Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar ku ka zbardhur detaje nga arresitmi në Borsh i Moisi Habilajt, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
“Finalizohet operacioni policor i koduar "Metodat", për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë”, thuhet në njoftim.
“Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit””, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)