Autorët profesionistë? Eksperti i sigurisë analizon atentatin në Lezhë

Nga A2 CNN
27 Prill 2026, 08:56 | Kronikë
 

Eksperti i sigurisë Gert Metani duke folur emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për atentatin në Lezhë ku u vranë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, mendon që vrasësit mund të kenë qenë profesionistë.

Megjithatë ai nuk e përjashton që të kemi të bëjmë edhe me amatorë që kanë shtënë me breshëri, duke vrarë edhe bashkëshorten e objektivit. Sipas Metanit arsye të krimit të dyfishtë mund të jenë motive si larje hesapesh, apo gjakmarrje.

"Ata që janë në nivel amator, që nuk vijnë nga formimi ushtarak, që s’e kanë përdorimin e armës si mjet apo trajnim nga këto struktura, Policia, Garda, Ushtria, po bëhen edhe më të zotë, sepse bëjnë trajnimin në zona rurale, dalin maleve, blejnë armë pa fund që futen nga kufiri me Malin e Zi dhe Kosovën. Këta persona mjaftojnë të koordinojnë 2-3 veprime dhe në sytë e një personi mund të duken si profesionistë. Mund të jenë përfshirë motive si larje hesapesh, gjakmarrje, por nëse janë profesionistë janë njerëz të gabuar që kanë marrë masat për të hequr çdo gjurmë. Një djegie mjeti s’ka ndodhur këtë herë. Me një hetim të mirë çdo gjë zbardhet. Kanë qenë profesionistë për fatin e keq pasi dy personat nuk jetojnë më, por janë lehtësisht të zbulueshëm, kur prokuroria dhe oficeri i policisë gjyqësore punojnë siç duhet. Objektivi mund të ketë qenë edhe zotëria në fjalë, i ndjeri. Nëse kanë qenë amatorë, goditja në breshëri ka bërë që mos shpëtojë as zonja. Kur përfshihen familjarë janë gjithmonë ose persona që paguhen për atë, ose që s’kanë ftohtësi", tha Metani.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos