
Shërbimet e Policisë kanë bllokuar gjithsej 1462 motomjete elektrike dhe monopatina që nga nisja e aksionit dhe deri më sot. Siç duket edhe nga video e dërguar nga vetë policia, shumica e monopatinave janë lënë në ambient të hapur. Por që mund të dëmtohen nga shiu. Skuterat kanë bateri dhe qarqe, të cilat mund të prishen nga shiu. Kushtet atmosferike si, shiu dielli lagështira i dëmtojnë. Skuteri më i lirë kushton 30 mijë lekë.
“Në zbatim të planit të posaçëm “Për ndalimin e mjeteve me pedale dhe patinave elektrike”, shërbimet e Policisë kanë intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me fokus parandalimin e qarkullimit të mjeteve që nuk plotësojnë kushtet ligjore për qarkullim, dhe që përbëjnë rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës. Nga nisja e planit të masave deri më datë 2 nëntor 2025, janë konstatuar në paligjshmëri dhe janë bllokuar gjithsej 1462 mjete elektrike, konkretisht: 1336 monopatina elektrike; 126 motomjete elektrike”, njofton Policia.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, 8 prej tyre në gjendje të dehur dhe njëri pa leje drejtimi.
Kontrollet janë kryer në akset me qarkullim të dendur, në zonat urbane dhe pranë institucioneve arsimore, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit të automjeteve apo mjeteve motorike, elektrike dhe biçikletave që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor.
“Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, në të gjitha zonat e kryeqytetit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e ngjarjeve që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, përfundon policia. (A2 Televizion)
