
Detaje të reja janë mësuar nga gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, në lidhje me atentatin e një dite më parë pranë Aeroportin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur Mustafa Shaljani, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë kryer një operacion të madh kërkimi në zonën e Fushë-Krujës.
Hetuesit kanë dyshime se autorët kanë ndjekur të njëjtin itinerar kur u larguan nga vendngjarja, si edhe kur kanë shkuar në Rinas për të kryer atentatin. Pra kanë ardhur nga fshati Halil në drejtim të Rinasit dhe pasi kanë kryer atentatin kanë shkuar sërish në fshatin Halil dhe kanë djegur makinën.
Hetuesit po hetojnë edhe pistën tjetër, pra dyshojnë që autorët kanë bërë këto lëvizjet me qëllim për të humbur gjurmët dhe për të fokusuar kontrollet e policisë te kjo zonë dhe jo në zona të tjera nga ku mund të jenë vërtetë autorët e atentatit.
Sipas burimeve, 5 grupe të FNSH kanë qëndruar nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit në zonë, duke kryer kontrolle në lokale e banesa, si dhe duke ndaluar automjete të shumta për kontrolle. A2 CNN mëson gjithashtu se janë shoqëruar disa persona.
Ndërkohë, mësohet se Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. A2 CNN mëson se Sheqeri, i cili ishte drejtues i automjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte viktima Gilmando Dani, është i intubuar dhe ndodhet ne reanimacion.
Si u realizua atentati?
Gilmando Dani u ekzekutua në rrethrrotullimin para hyrjes së Aeroportit të Rinasit, pasi sapo ishte kthyer nga Barcelona. Mbi makinën ku ai po udhëtonte me mikun e tij Mustafa Shaljani (Sheqeri) u lëshuan një breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend Danin, i cili njihet si njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit.
Në fillim, autorët kanë qëlluar nga makina e tyre, pasi janë futur paralel mjetit tjetër, raporton gazetari Igli Çelmeta. Makina tip Benz ku ndodhej viktima Dani humb kontrollin dhe te rrethrrotullimi i Rinasit ecën drejt. Më pas, mjeti Toyota i autorëve i del para dhe njëri prej tyre zbret nga makina dhe qëllon nga shumë afër. Autori që ka zbritur nga makina ka qenë i maskuar.
Para makinës ku ndodhej Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri ishte një taksi që po kalonte në ato momente. Dyshohet se ka pasur kundërpërgjigje me armë edhe nga makina ku ndodheshin Dani dhe Sheqeri.
Në automjetin e djegur të autorëve në fshatin Halil janë gjetur 3 kallashnikovë dhe një pistoletë. Armët janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme. (A2 Televizion)
