Në gjyq për shkarkimin e drejtorit të Ujësjellësit në Shkodër, Bardh Spahia mbërrin në GJKKO

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 11:05 | Kronikë

Në gjyq për shkarkimin e drejtorit të Ujësjellësit

Ish-kryetari i Bashkisë Shkodër, njëherësh deputet i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme, në seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të tij.

SPAK e dërgoi për gjykim Spahinë më 26 shkurt, duke e akuzuar për veprime në kundërshtim me ligjin gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Shkodrës. Sipas organit të akuzës, më 18 korrik 2022, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër dhe njëkohësisht si kryetar bashkie, Spahia ka firmosur vendimin për shkarkimin nga detyra të administratorit Mark Molla, pavarësisht një vendimi gjyqësor që pezullonte këtë akt.

Në vend të Mollës, ish-kryebashkiaku ka emëruar në këtë post një anëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. SPAK pretendon se me këtë veprim Spahia ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe ka vepruar në kundërshtim me urdhrat e gjykatës, çka përbën shkelje të ligjit.

Mark Molla, personi që ka paditur Bardh Spahinë në cilësinë e dëshmitarit të kërkuar nga Prokuroria kishte thënë në një seancë të mëhershme se është shkarkuar nga detyra pa asnjë vërejtje dhe pa vendim Asambleje.

“Gjatë vitit 2022 kam qenë administrator tek ujësjellësi. Kam bërë detyrën mirë. Ujësjellësi ka qenë ndër më të mirët në Shqipëri. Ka pasur 0 fonde. Kam bërë kallëzim penal se ish-kryebashkiaka në detyrë më ka emëruar tre vjet më parë. I jam drejtuar Prokurorisë Shkodër, se jam njohur me shkresa zyrtare dhe jam njohur si njeri pa vlerë. Unë nuk jam lejuar me hyrë në ujësjellës. Kryetari ka shpërdoruar detyrën me largimin nga puna të menjëhershëm pa asnjë qortim, as vërejtje dhe pa vendim asambleje”, ka deklaruar Molla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos