Gjykata e Posaçme shpall të pafajshëm vëllain e ish-Presidentit, Bujar Nishani

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 10:59 | Kronikë

Gjykata e Posaçme shpall të pafajshëm vëllain e

Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm Ilir Nishanin vëllain e ish-presidentit, Bujar Nishani, i cili akuzohej për korrupsion, pasi dyshohej se kishte marrë ryshfet në cilësinë e inspektorit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Bashkë me të kaluan në gjykim, po për korrupsion, dy ish-zyrtarët e së njëjtës agjenci, Genci Hicka dhe Gerson Tafa, si edhe mjekët Konstandin Balloma dhe Besim Boçi.

Sipas SPAK, në vitin 2020 tre zyrtarët e Mjedisit kanë marrë një ryshfet prej 30 mijë lekë nga dy mjekët Balloma e Boçi, në këmbim të mos gjobitjes për trajtimin e mbetjeve spitalore. Hetimi ndaj zyrtarëve të Mjedisit, nisi pas kallëzimit të mjekëve, të cilët përfunduan të pandehur në të njëjtën dosje më pas.

I pafajshëm është shpallur edhe i pandehuri Genci Hicka. Por, GJKKO këtë të martë ka shpallur fajtor të pandehurin tjetër, Gerson Tafa, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me 2 vjet burg.

Por sipas vendimit Tafa nuk do të qëndrojë në qeli por do të duhet të kryejë 24 muaj shërbim prove, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij. Tafës po ashtu i ndalohet që të ushtrojë funksione publike për një periudhë 5 vjeçare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos