
Gjykata e Tiranës i dha pafajësi një zyrtari dhe disa ish-zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, të akuzuar për abuzim me fondet e rindërtimit në zonën e Kombinatit në kryeqytet, raporton A2CNN.
Ata u akuzuan për "shpërdorim të detyrës" dhe "falsifikim të dokumenteve" pas dyshimeve për punime fiktive të kryera për shembjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti.
Sipas vendimit të gjykatë, të pafajshëm u shpallën Aurel Boriçi, drejtor në Drejtorinë e Medias dhe Komunikimit në Bashkinë Tiranë dhe ish-zyrtaret Aurel Çuko dhe Eleana Guçe. Pafajësi morën edhe ish-drejtuesit e IMT, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi.
Të njëjtin fat nuk e patën të pandehurit Shyqyri Maloku dhe Aleksandra Mahmutllari, të cilët u dënuan respektivisht me 9 dhe 6 muaj burg për "falsifikim", dënime që u konvertuan në “punë në interes publik”. (A2 Televizion)