“Dumani po pinte kafe me Kreshnik Farrukun”, Berisha: Ndërkombëtarët e SHBA kanë deklaruar se PS kishte agjendë dhune me 21 janar

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2025, 11:32 | Kronikë

“Dumani po pinte kafe me Kreshnik Farrukun”, Berisha:

Autoritetet ndërkombëtare dhe qeveria e SHBA kanë deklaruar se PS kishte agjendë dhune me 21 janar. Këtë deklaroi Sali Berisha pas daljes nga SPAK, ku u pyet për 21 janarin e 14 viteve më parë, ku u vranë 4 protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Sipas Berishës

“Jam pyetur se çfarë ndodhi më 21 janar. Kjo mosthirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosthirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mosthirrjes. Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA ka deklaruar dhe ka rideklaruar se me 21 janar, PS kishte agjendë dhune. Ku janë ata mbështetësit e saj? Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte agjendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj.”.

Berisha theksoi se thirrja e tij në SPAK është procedurë normale, por u përdor për propagandë socialiste.

“Thirrja për të dëshmuar është procedura më normale, por nuk është publike. Kurse këta Dumani, Troplini mos them Dumani, pa marrë unë njoftimin ua shpërndau mediave, në një akt të shëmtuar duke dëshmuar se institucioni i tij është institucion banal propagande socialiste. Pse duhet ta marrë vesh publiku që unë jam thirrur të pyetem për 21 janarin. Një procedurë që është diskrete ua jep mediave ,para se të ma japë mua dhe 2 javë furnizon studiot e televizioneve të kontrolluara nga qeveria, që të mos bëjnë debate për vjedhjet, por të merren që Sali Berishën e kanë thirrur pas 13 vjetësh në një gjë që duhet ta kishin thirrur”.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se në SPAK gjeti Altin Dumanin që po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. Për këtë të fundit më herët Berisha ka thënë se është i kërkuar nga drejtësia italiane

“Ishte një proces normal, duhet ta pohoj këtu. Në qoftë se këta që ishin aty, zhvilluan një procedurë në përputhje me ligjin dhe rregullat, kjo nuk mund të thuhet për Dumanin që po pinte kafe, jo me Pojën, po me këtë të fundit që i mori 5 milionë, Kreshnik Farrukun. Po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. Po, i shkoi edhe në Manzë Kreshnik Farrukut. Dhe nuk flet gjë, hesht si fija e barit. Ai do heshtë, por unë nuk hesht se do mbroj interesat publike”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos