Rritja e pagave vetëm lëmoshë për Policinë e Shtetit, ja pse për inspektorët mund të jetë zero. FNSH prej 15 gushtit vijon pa u paguar për dietat

Nga Igli Çelmeta
19 Nëntor 2025, 10:53 | Kronikë

Rritja e pagave vetëm lëmoshë për Policinë e Shtetit,

Edhe pse ministrja Albana Koçiu ka publikuar në rrjetet sociale rritjet e pagave për çdo kategori sipas gradave në polici, realiteti është krejt ndryshe. Ministria e Brendshme ka publikuar vetëm pagën bruto, dhe jo atë neto.

P.sh., marrim rastin e inspektorëve të thjeshtë me mbi 5 vite eksperiencë, të cilët në dorë marrin rreth 620 mijë lekë të vjetra. Madje, këtë muaj nuk u janë hedhur as paratë e orëve të natës (turni i tretë) dhe orët shtesë. Në rastet kur hidhen, maksimumi që merr një inspektor i thjeshtë shkon 700 mijë lekë të vjetra.

Ndërsa Ministria e Brendshme publikon vetëm pagën bruto, 805 mijë lekë të vjetra, ku përfshihen edhe taksat. Me rritjen, paga bruto shkon 855 mijë lekë të vjetra, pra rritja është 40 mijë lekë të vjetra, por edhe kjo taksohet, dhe realisht rritja përfundimtare në dorë shkon rreth 25 mijë lekë të vjetra. Kështu, maksimumi që do të marrë një inspektor është 725 mijë lekë të vjetra, shkruan A2 CNN.

Por rritja në disa raste mund të shkojë deri në zero. Pse?

Shembull: vjetërsia për inspektorët është 5 mijë lekë të vjetra për çdo vit. Pra, një polic inspektor me mbi 5 vite punë merr 25 mijë lekë të vjetra në muaj si shtesë. Por me ligjin e ri po diskutohet që kjo të hiqet dhe të aplikohet vetëm për ata me mbi 15 vite punë, të cilët do të marrin 5 vite vështirësi, pra shtesa e vjetërsisë do të nisë pas vitit të 15-të.

Me rritjen e re, shtohen 40 mijë lekë të vjetra, nga të cilat realisht mbeten rreth 25 mijë lekë të vjetra pas taksimit. Por nëse hiqen 25 mijë lekët e vjetërsisë, atëherë rritja përfundon praktikisht zero.

Ndërsa për një efektiv të ri, rroga bazë është 580–590 mijë lekë të vjetra për ata që janë patrullë dhe sapo kanë filluar në polici, pa orë shtesë dhe pa vështirësi, raporton A2 CNN.

Megjithatë, ligji për Policinë e Shtetit thotë se çdo efektiv duhet të paguhet për orët shtesë. Në realitet paguhen vetëm 16 orë në muaj, ndërsa orët e tjera nuk llogariten fare. Një efektiv punon mbi 40 orë shtesë në muaj, por këto nuk paguhen dhe nuk janë paguar asnjëherë deri më sot. Kjo përbën një shkelje flagrante të ligjit.

E njëjta situatë ndodh edhe me gradat e tjera në polici, nënkomisar, komisar, kryekomisar dhe drejtues për pagat dhe rritjet që pritet të marrin. Një nënkomisar merr rreth 770 mijë lekë të vjetra, komisari 820 mijë, kryekomisari merr 890 mijë.

Sa i përket ushqimeve, ato merren me kartë në supermarkete të caktuara me vlerë 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Edhe këto shpesh vonohen dhe nuk mund të konvertohen në para, por vetëm në ushqime. Ndërkohë, efektivët e FNSH, të cilët i marrin paratë në dorë dhe jo ushqime, kanë rreth 3 muaj pa u paguar për dietat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos