Dosja “Metamorfoza”, lirohen nga burgu Oltion Bistri dhe ish-prokurori Lita

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 19:53 | Kronikë

Lirohen nga burgu ish-drejtori i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita, të cilët u arrestuan më 27 korrik 2023 në kuadër të operacionit të madh hetimor “Metamorfoza”.

Pas shlyerjes së dënimeve të tyre, Gjykata e Posaçme urdhëroi këtë të hënë lirimin e të dyve.

Gjykata vendosi të veçojë çështjen ndaj Ardit Hasanbegajt dhe Pëllumb Gjokës, procesi i të cilëve do të vijojë më 2 dhjetor. Ndërkohë, për pjesën tjetër të të akuzuarve u shpallën vendime përfundimtare.

Behar Bajri, i akuzuar për sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve ndaj tre personave, dënohet me 13 vite burg, me gjykim të shkurtuar ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj në burg të sigurisë së lartë.
Edmond Preka dënohet me 10 vite burg, të cilat reduktohen në 7 vite me gjykim të shkurtuar. Ndërsa Asmer Bilali dënohet përfundimisht me 5 vite e 8 muaj burgim.

Oltion Bistri, i arrestuar më 27 korrik 2023, shpallet i pafajshëm për akuzën e korrupsionit. Për veprën e “zbulimit të akteve sekrete”, dënimi përfundimtar është 2 vite burg, të cilat konsiderohen të shlyera. Gjykata urdhëroi lirimin e tij.

Ish prokurori Xhevahir Lita, po ashtu i arrestuar më 27 korrik 2023, dënohet me 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar. Edhe për të u urdhërua lirimi.

Dosja “Metamorfoza” mbetet një nga hetimet më të mëdha të viteve të fundit, që goditi bashkëpunimin mes zyrtarëve shtetërorë dhe grupeve kriminale. Seanca e 2 dhjetorit pritet të hedhë dritë mbi rolin e të pandehurve të mbetur në proces. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos