Në mbledhjen e së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me shumicë votash të mos e marrë në shqyrtim nëse gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka, duhet të qëndrojë në detyrë.
Kjo për faktin se gjyqtarjare zulton të jetë dënuar me burg nga drejtësia greke në vitin 2005, dënim që nuk është deklaruar prej saj në formularin e dekriminalizimit. Sipas KLGJ-së, diskutimin fillestar mbi vlefshmërinë e statusit të magjistrates për Gjokën duhet ta bëjë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, shkruan A2.
Qeveria e gjyqësorit e shtoi rastin e Gjokës në rendin e ditës pak para nisjes së mbledhjes, por në përfundim vendosi të mos miratojë relacionin e paraqitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Anëtarët që votuan kundër argumentuan se kur papërshtatshmëria lind pasi gjyqtari e ka marrë statusin e magjistratit, diskutimi duhet të bëhet nga ILD.
“Nuk mund të kemi rol aktiv ne si Këshill, kemi humbur kohë madje”, tha anëtari Ridvan Hado.
Pas këtij vendimi të KLGJ, relacioni mbi situatën e gjyqtares Gjoka do t’i përcillet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që do të vlerësojë nëse do të kërkojë më pas në KLGJ ndërprerjen e statusit të magjistrates për gjyqtaren Gjoka. Më herët, gjatë relatimit në KLGJ, përfaqësuesi i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës tha se Këshilli Gjyqësor u vu në lëvizje për Gjokën pas kërkesave të mbërritura në institucion nga individë dhe subjekte politike.
Referuar shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme, rezultonte se gjyqtarja Irena Gjoka nuk kishte gjeneralitete të tjera, përveç atyre të paraqitura në deklaratën e dekriminalizimit, se ishte e dënuar në vitin 2005 me 3 muaj burg e 1500 euro gjobë nga Gjykata e Janinës, në Greqi, se ky denim ishte konvertuar me gjobë në 4.4 euro dita, se vendimi ishte arkivuar dhe nuk ishte ekzekutuar dhe se ndaj saj nuk rezultonte të ishte caktuar ndonjë masë shtrënguese sigurie.
Nga ana e saj, përmes një shkrese të dërguar në KLGJ, gjyqtarja Gjoka ka pretenduar se nuk e ka fshehur dënimin e palës greke, por se në asnjë moment nuk ka pasur dijeni se është proceduar apo dënuar nga drejtësia e këtij vendi. (A2 Televizion)