
Kostandin Nishku i fshihej drejtësisë prej vitit 1997, por pas 29 vitesh, ai u arrestua në Greqi për llogari të drejtësisë së vendit tonë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 10-vjeçari, nipi i një personi i cili i kishte vrarë vëllain.
Sipas asaj që A2 CNN ka mësuar, historia tragjike nis më datë 19 mars 1997, kur Nishku, alias Baki Duzha, së bashku me shtetasin Roland Kotorri, kanë shkuar të armatosur në shtëpinë e shtetasit Kujtim Bregu. Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, pasi Veli Bregu në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ishte arratisur nga burgu.
Veli Bregu nuk ndodhej në banesë dhe aty ishin vetëm Kujtimi, gruaja e tij, djali 10-vjeçar dhe vajza 15-vjeçare. Pasi i ka kërkuar të tregojnë ku ndodhet Veli Bregu dhe nuk ka marrë përgjigje, nishku ka urdhëruar shtetasin Roland Kotorri që të vrasë djalin e mitur dhe pas refuzimit të Kotorrit, e ka qëlluar me pistoletë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, përcjell A2 CNN.
Pas ngjarjes Nishku është larguar drejt Greqisë, ku dhe ka jetuar me identitetin e rremë Hariz Vjeri. Identifikimi i tij është kryer bazuar në identitetin e rremë dhe krahasimin fotografik të fotos së autorit të vitit 1997 dhe fotos së pasaportës së marrë në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.
Pas arrestimit, pritet ekstradimi i nishkut në vendin tonë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. (A2 Televizion)