Temperaturat e ftohta të këtyre ditëve kanë rikthyer edhe një herë problematikën e ngrohjes në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme në qytetin e Elbasanit.
Vëzhgimi brenda ambienteve të shkollave apo klasave është një mision i pamundur, pasi drejtoritë e shkollave mbyllin dyert me urdhra të prerë: Mos filmoni! Ndërkohë, nxënësit e pohojnë se kanë mangësi sa i takon ngrohjes në klasat e tyre.
Një prej nxënësve pohon se ka ftohtë në klasë edhe për faktin që dritaret e klasës së tij nuk shohin nga dielli. Kjo situatë është akoma më problematike në shkollat e mesme.
Një nxënës i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja pohon se nuk kanë ngrohje, por që janë mësuar tashmë me këtë vështirësi.
Edhe një prej prindërve pohon për mikrofonin e A2 CNN mungesën e ngrohjes në klasa. Zyrtarisht drejtoritë e shkollave dhe bashkia pohojnë se shkollave u është siguruar ngrohje disa me kaldaja qendrore, të tjera me ngrohëse elektrike nëpër klasa, por dëshmitë e nxënësve dhe të prindërve nuk e pohojnë këtë fakt. (A2 Televizion)