Eksperti i sigurisë Gert Metani sqaroi dispozitën penale në rastin e aksidenteve të rënda, me pasojë vdekjen, siç ishte edhe aksidenti tragjik i së dielës në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos rëndë një i tretë.
“Dispozita penale është kështu: aksident me pasojë, nga një deri në pesë vite, dhe pastaj nëse ka rrethana rënduese si konsumimi i alkoolit, manovra të gabuara, shkon deri në 10 vite. E nëse ka pastaj faktorë lehtësues që personi ka dhënë ndihmën e parë, kërkesa e faljes, pendesa, reflektimi për atë që ka bërë… Unë nuk jam gjyqtar dhe normalisht do analizohen të gjitha rastet, por në bazë të Kodit Penal, dispozitave në fuqi, rrethanave që ne dimë tani për tani, mesatarja 10 vite është”, tha eksperti.
“Pastaj, është historiku që ka pasur. Të gjitha do të bëhen pjesë e gjyqit, pala mbrojtëse dhe prokuroria do përplasin argumentet”, shtoi eksperti Gert Metani.
(A2 Televizion)