"Pinte alkool si të gjithë ne", banorët e normalizuan situatën e 57-vjeçarit që u mori jetën dy fëmijëve

Nga A2 CNN
4 Maj 2026, 08:42 | Kronikë


Një ditë pas aksidentit tragjik në zonën e ish-kënetës në Durrës që ka tronditur mbarë opinionin publik, gazetarja e A2 CNN, Elitjona Doko solli të tjera detaje nga ngjarja e rëndë, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër në gjendje të rëndë.

Sipas dëshmive të banorëve, autori njihej si konsumues i rregullt i alkoolit dhe kishte kryer më herët manovra të rrezikshme, madje ishte penalizuar edhe me heqje të lejes së drejtimit.

Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, gazetarja e A2 CNN tregoi se pavarësisht pendesës së autorit, ajo që i ka bërë përshtypje ka qenë normalizimi i këtij fenomeni nga banorët e zonës.  

“Ajo që më ka bërë përshtypje më së shumti nga intervista, apo nga komunikimi që kam patur me banorët e zonës ka qenë normalizimi që i bëhet një fenomeni si përdorimi i alkoolit. Pra “të gjithë pimë alkool. Ishte i dehur si të gjithë ne”. Ka qenë një zotëri që është shprehur kështu. Por njeriu mund ta përdorë alkoolin, është një zgjedhje individuale, por kurrsesi nuk mund të vërë duart në timon në momentin që përdor alkool”, tha ajo në Dita Jonë.

Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e djeshme në lagjen 15 të Durrësit, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos