
A2CNN mëson se paraqitet e rëndë gjendja shëndetësore e fëmijës së tretë, që mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti tragjik në zonën e Spitallës në Durrës.
"Gjendja e tij është e rëndë, pasi ka dëmtime të shumta", konfirmoi për A2CNN Ministria e Shëndetësisë, që po ashtu tha se i mituri momentalisht është koshient.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit.
Dy nga fëmijët humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
Drejtuesi i mjetit braktisi makinën duke mos u dhënë fëmijëve as ndihmën e parë, por duke u larguar me vrap në mes të lagjes. Shoferi është arrestuar nga policia, ndërkohë që vijojnë hetimet për ngjarjen.
57-vjeçari, që u ndërpreu jetën në moshën më të bukur dy 10-vjeçarëve, ka qenë person problematik edhe në të shkuarën, çka konfirmohet edhe nga dëshmitë e banorëve të zonës për A2CNN.
Njëri nga fëmijët e humbi jetën përballë dyqanit të familjarëve të tij, ku jetonte së bashku me motrën dhe të afërm të tjerë, ndërsa prindërit ndodhen në Itali për arsye shëndetësore.
(A2 Televizion)