Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, Maroku pranon të ekstradojë autorin portugez

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2023, 17:20 | Kronikë

Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, Maroku pranon të ekstradojë autorin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka njoftuar se, autoritetet në Marok kanë pranuar kërkesën për ekstradimin e autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit, Ardian Nikulaj.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla thotë se portugezi është person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Sipas tij, sundimi i ligjit vijon të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund.

“Falë mbështetjes së Interpol, marrëdhënia me të cilët ka hyrë në një fazë të re, si dhe bashkëpunimit me agjencitë  ligjzbatuese të Marokut, jemi bërë me dije se është pranuar kërkesa jonë për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Policia e Shtetit do të realizojë së shpejti ekstradimin e tij në Shqipëri”, shkruan Balla.

Kujtojmë se, rreth një muaj më parë autoritetet marokene i kanë përcjellë homologëve të tyre shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, 28-vjeçarit portugez, i cili dyshohet se kishte rolin e ekzekutorit në eliminimin e biznesmenit.

Komunikimet që autori u dyshuar ka shkëmbyer me persona të tjerë do t’u shërbejw hetuesve për të pasur prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë qe ndodhi më 19 prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin.

Të arrestuar në Britani të Madhe janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.

Organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Edmond Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.

Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lekstakaj. Përplasja për një 10 mijë lekësh, në një pikë karburanti, që përfundoi me bilanc tragjik me disa të vrarë.

I riu portugez u arrestua rreth 3 javë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, në Rabat të Marokut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos