Ekzekutohet me plumb në kokë biznesmeni në Sarandë, në kërkim autori

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
8 Maj 2026, 16:17 | Kronikë

Ekzekutohet me plumb në kokë biznesmeni në Sarandë, në

Saranda është tronditur mbrëmjen e së enjtes nga një ngjarje e rëndë që ka sjellë si pasojë një të vrarë dhe një të plagosur me armë zjarri. Viktimë e kësaj ngjarjeje ka mbetur biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ndërsa policia ka të dhëna se ka mbetur i plagosur edhe një tjetër person, i cili nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake policore, viktima ishte së bashku me disa persona të tjerë në lokalin pranë karburantit, pronë e tij, kur në lokal ka hyrë shtetasi Lulzim Tabaku së bashku me persona të tjerë dhe kanë nisur të debatojnë, të shahen dhe më pas konflikti ka degraduar në përplasje fizike me 66-vjeçarin, shkruan A2 CNN.

Gjatë konfliktit, dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë ndaj biznesmenit Rexhep Ismaili, duke e goditur fatalisht me plumb në kokë. Pas këtij momenti, dyshohet se kanë reaguar edhe personat që ndodheshin me viktimën, duke nxjerrë armët dhe plagosur një nga personat që shoqëronte autorin e dyshuar të vrasjes.

I plagosuri, sipas dyshimeve, është larguar së bashku me autorin Lulzim Tabaku dhe të dy janë shpallur në kërkim nga policia. Kjo e fundit, edhe pse e ka identifikuar Lulzim Tabakun si autorin e dyshuar, ende nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij apo të personit tjetër që dyshohet se është plagosur. Dyshimet janë se ata mund të kenë kaluar kufirin ilegalisht drejt Greqisë.

Sakaq, nga të dhënat paraprake policore, dyshohet se shkak i konfliktit mes autorit të dyshuar Tabaku dhe të ndjerit Ismaili mund të kenë qenë çështje pronësie të pazgjidhura mes tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos