
Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur të sekuestrojë pasuritë e spitalit privat International Medicare shpk e Sante Plus.
Administratorët dhe drejtuesit e këtij spitali akuzohen për fshehje të të ardhurave, mos pagim taksash dhe përdorja e medikamenteve të skaduara.
Hetimet ndaj këtij spitali nisën pas një kallëzimi të bërë nga një shtetas portugez i cili deklaroi në prokurori se kishte paguar mbi 5200 euro në këtë spital për të marrë 3 shërbime, por që në fakt nuk kishte marrë asnjë prej tyre, pasi mjekët ishin larguar, ndërkohë që as paratë nuk i ishin kthyer pas.
Pas hetimeve të mëtejshme, hetuesit zbuluan se ky spital operonte me mandate dore dhe gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë.
Portugezi ka deklaruar se pagesat i kishte bërë dorazi tek një punonjëse e klinikës, e quajtur Xhuana Liko, e cila i ishte prezantuar si drejtoreshë e spitalit.
Por, gjatë hetimeve, Liko ka pohuar se nuk ka qenë asnjëherë drejtoreshë, por vetëm një recepsioniste, e cila vepronte sipas udhëzimeve të pronarëve të vërtetë të klinikës, shtetasi turk Bilal Kara dhe Geriana Arapi. Ata sot ndodhen jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut dhe të shpallur në kërkim nga policia.
Me marrjen e denoncimit, hetuesit ushtruan kontroll në ambientet e spitalit privat, ku ka gjetur një sërë shkeljesh të rënda që rrezikonin drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve. Mes tyre u zbuluan medikamente të skaduara dhe preparate të ndaluara për përdorim, të cilat mbaheshin në ambientet e klinikës. Pagesa të kryera dorazi, pa asnjë dokumentacion financiar apo përmes sistemit bankar dhe me punësim në të zezë.
Skandali zgjerohet edhe më shumë, kur kuzhinieri i spitalit, Edmond Zaja, emërohet administrator zyrtar i klinikës, pavarësisht se ai nuk kishte asnjë përgatitje apo njohuri në menaxhimin e shërbimeve mjekësore. Zaja, 62 vjeç dhe i arrestuar nga blutë, ishte punësuar fillimisht për të përgatitur ushqimin e pacientëve, por më pas ishte detyruar të firmoste si administrator i klinikës.
Hetimet u thelluan edhe më tej pas dëshmisë së një mjeku turk i cili deklaroi se vinte rregullisht dy herë në muaj për të kryer ndërhyrje kirurgjikale estetike në këtë klinikë. Sipas tij, kishte realizuar mbi 20 operacione, të gjitha pa u regjistruar ligjërisht, duke shkelur haptazi ligjin shqiptar për shërbimet shëndetësore dhe mjekësinë estetike. (A2 Televizion)
