Aksidenti në Vlorë, flet gjyshi i viktimës: Në bulevard nuk kishte asnjë polic

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 09:03 | Kronikë

Gjyshi i 17-vjeçarit i cili humbi jetën në një aksident në Vlorë ka deklaruar se kur ndodhi aksidenti në bulevardin kryesor të qytetit nuk kishte asnjë polic, ndërsa në spital janë mbledhur policët dhe nuk e lënë të shikojë nipin e tij.

Aksidenti ndodhi rreth orës 01:30 të natës së djeshme në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me motor. Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17 vjeç, shkruan A2.

“Kemi 8 orë që po presim dhe nuk vjen mjeku ligjor të bëjë veprimet. Jemi shumë të shqetësuar se shteti po na kthen krahët, nuk po na ndihmon. Nuk e dimë çfarë shteti është ky. Makina na ka vrarë djalin, ka ikur me shpejtësi 200 km/h në qytet dhe asnjë patrullë policie. Në bulevardin kryesor ka ndodhur dhe asnjë polic. Kurse këtu janë mbledhur policët dhe nuk më lënë të shikoj nipin. Nipi nuk ishte kriminel”, tha gjyshi.

Pas shumë orësh në pritje, është tërhequr për në banesë nga morgu trupi i të ndjerit.

Sipas njoftimeve zyrtare, mjeti me targë AB737UI, që drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Leandro Shametaj, vetëm 17 vjeç.

I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar nga policia në ambientet e DVP Vlorë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos