
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Smart Bank Phishing”, në kuadër të luftës kundër mashtrimeve kompjuterike dhe krimeve kibernetike.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar 21-vjeçari Orlando Gjoka, banues në Laç, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy persona të tjerë, D. G. (23 vjeç) dhe E. Gj. (21 vjeç).
Sipas njoftimit zyrtar, Orlando Gjoka kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte persona të ndryshëm përmes platformave online, duke iu ofruar kredi të rreme në emër të bankës.
Nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë bankare, i riu arrinte të boshatiste fondet e viktimave. Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i bindte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë për një kredi 15 000 euro.
I riu akuzohet për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. (A2 Televizion)
