Zhvillohet sot seanca e radhës ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për çështje që lidhen me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Seanca, e planifikuar të nisë në orën 12:30, hap fazën e shqyrtimit të provave, ku palët do të përballin argumentet dhe faktet në sallën e gjyqit. Fillimisht, prokuroria do të paraqesë provat e saj, duke nisur me dëshmitarët. Për ditën e sotme janë thirrur katër persona për të dëshmuar, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes, shkruan A2 CNN.
Përveç Ballës, janë njoftuar edhe disa ish-drejtues të lidhur me klubin shumësportësh Partizani, të cilët pritet të japin dëshmi mbi rrethanat e privatizimit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ata do t’i përgjigjen thirrjes së gjykatës edhe pse paraqitja është detyrim ligjor.
Mbrojtja ka kërkuar edhe dëshminë e kryeministrit Edi Rama. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, por dëshmia e tij do të merret vetëm pasi të përfundojë paraqitja e provave nga prokuroria. Ecuria e procesit mbetet e paparashikueshme, për shkak të mundësisë së vonesave apo zhvillimeve të papritura gjatë seancave. (A2 Televizion)