
Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose të organizuar si grup, shesin në sasi ose në doza, lëndë narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi G. D., 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)