Grabitja me armë në Kamëz, gazetari jep detaje: Motori me targa të vjedhura

Nga A2 CNN
16 Maj 2026, 20:38 | Kronikë

Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, dha detaje mbi grabitjen e sotme në Kamëz, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë në një bizhuteri dhe pasi grabitën dyqanin, u larguan me një motor.

“Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamzës, rreth orës 13, kur dy persona me motor, me skafandër, të armatosur, me një armë zjarri tip kallashnikov, futen brenda në ambientet e bizhuterisë dhe pasi, nën kërcënimin e armës, marrin bizhuteritë, të qetë hipin në motor dhe më pas largohen në drejtim të paditur. Menjëherë janë lajmëruar shërbimet e Komisariatit të Kamzës, janë sekuestruar kamerat e sigurisë, por deri në këto momente nuk janë identifikuar ende autorët e kësaj ngjarjeje”, tha Çelmeta në studion e "Terminal" nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

Ai pati kritika edhe për policinë: “Ajo që më bën përshtypje është fakti se si ka mundësi të ndodhë një grabitje në mes të ditës? Teksa po vija në emision, kalova disa patrulla policie që po i vendosnin gjoba makinave. Mund të kem parë mbi 7 patrulla policie që vendosnin gjoba automjeteve. Mendoj që policia duhet të jetë më shumë e fokusuar të rendi dhe siguria, te këto ngjarje kaq të rënda, sesa të jetë e fokusuar tek vendosja e gjobave të parkimit. Grabitja e sotme ndodhi në një zonë të frekuentuar. Ishin të pashqetësuar fare. Marrin bizhuteritë, i grabisin dhe largohen”, tha Çelmeta.

“Kush i parandalon këto ngjarje? Ne si qytetarë kemi frikë të shkojmë në dyqan bizhuterie apo në një dyqan sepse të vjen dikush me kallashnikov, i pashqetësuar kryen grabitjen dhe ikën”, shtoi Çelmeta.

Më tej, gazetari i A2CNN shtoi se identifikimi i grabitësve të maskuar bëhet edhe më i vështirë pasi motori me të cilin kanë lëvizur ka targa të vjedhura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos