Gazetari Elkier Bushkolaj në emisionin “Off the Record” në A2 CNN ngriti dyshimin se grupet kriminale shqiptare të trafikut të drogës mund të kenë bashkëpunuar me mafian serbe dhe atë malazeze.
Këtë dyshim Bushkolaj, e ngriti për shkak të takimeve që kreu i SPAK, Dumani bëri me homologët e tij në Mal të Zi dhe në Serbi.
Bushkolaj shton se ka shumë mundësi që këto grupe mund të kenë përdorur dhe portin e Durrësit për trafikun e kokainës.
“Paratë e narkotrafikut janë investuar në resorte, turizëm e industrinë e rëndë. Ka një vullnet që e ka lejuar. Ka shumë institucione që ka mbyllur sytë. Dhe më pas barra i bie policisë, prokurorisë dhe GJKKO. Ne nuk kemi pasur ndërtesa mbi 25 kate në Tiranë apo në qytetet turistike. Këto nuk justifikohen. Kanabizimi fuqizoi shumë grupe kriminale. Korruptoi shumë zyrtarë të lartë. Mund të kemi pasur bashkëpunim të grupeve shqiptare, malazez dhe serbe në Amerikën Latine. Mali i Zi ka dy klane të rrezikshme në trafikun e drogës.
Serbia ka disa grupe të rrezikshme, bashkëpunëtorë të Arkanit. Nisën me grabitje dhe vazhduan me trafikun e drogës. Kemi dhe shumë shqiptarë të Kosovës dhe të Malit të Zi që janë të bashkuara. A ka mundësi që të jetë përdorur porti i Durrësit për trafikun e drogës. Në Durrës nuk ka as shpërndarës”, tha Bushkolaj. (A2 Televizion)