Gazetari italian në “Off the Record”: Ja çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të goditur grupet kriminale

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 20:54 | Kronikë

Gazetari italian Nello Trocchia, i njohur për raportimet mbi mafian dhe krimin e organizuar, ka folur në emisionin Off the Record me Andrea Danglli në A2 CNN, duke dhënë një mesazh të qartë për institucionet shqiptare: lufta ndaj krimit fillon te paratë.

“Giovanni Falcone, një nga hetuesit dhe gjyqtarët e vrarë nga Cosa Nostra, thoshte gjithmonë: ‘Ndiq paranë’. Organizatat mafioze luftohen duke i lënë pa të mira, pa para. Kjo bëhet përmes konfiskimit të pasurive, të gjitha të mirat, investimet dhe çdo gjë që është ricikluar nga aktivitetet kriminale duhet t’u hiqen,” tha Trocchia.

Sipas tij, në Shqipëri nevojitet një përmirësim i ligjeve për konfiskimin e pasurive, pasi aktualisht është e vështirë të goditen përfitimet e bizneseve të lidhura me aktivitetet e paligjshme.
“Është një normë që duhet përmirësuar dhe rafinuar, sepse ndryshe nuk mund të goditen fitimet që kanë përfituar bizneset nga aktivitetet kriminale. Nëse nuk ndëshkohen financiarisht, nuk mund të ketë asnjë efekt real në luftën kundër krimit,” shtoi gazetari italian.

Megjithatë, ai vlerësoi se bashkëpunimi mes organeve hetimore italiane dhe shqiptare është përmirësuar ndjeshëm, por theksoi se ende ka shumë për të bërë.
“Raporti mes hetuesve italianë dhe shqiptarë është përmirësuar shumë, por duhet të rafinohet më tej për të identifikuar aktivitetet që lidhen me trashëgiminë kriminale shqiptare në Europë,” tha Trocchia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos