Agim Ismaili, ish-Drejtori i Përgjithshëm të Burgjeve, është vënë nën hetim nga SPAK, si pjesë e dyshuar e një grupi kriminal që tentoi të hakerojë sistemet elektronike të Strukturës së Posaçme marsin e këtij viti. Të enjten, Ismaili u paraqit në SPAK, ku në praninë e një avokati dha shpjegime në cilësinë e personin nën hetim. SPAK konfirmoi zyrtarisht për A2CNN se ish-zyrtari i Burgjeve po hetohet për tre vepra penale “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Burimet nuk bënë me dije mbi dyshimet konkrete mbi të cilat lidhet emri i Ismailit, ndërsa disa muaj me herët, SPAK ka kryer disa kontrolle në një zyrë, që ishte në përdorim nga ish-zyrtari, shkruan A2 CNN.
Ismaili qëndroi për gati dy orë në Strukturën e Posaçme dhe në dalje nuk dha asnjë deklaratë. Në lidhje me tentativën e hakerimit të SPAK dhe ndërhyrjen në postën elektronike të disa prokurorëve, SPAK po heton nën masën e sigurisë “arrest në burg” prej prillit të këtij viti, Zambak Gjonin, ish-zyrtar i Burgut të Fierit dhe Arnold Rrokaj, ish-zyrtar i IMT.
Ndërhyrja e paligjshme në sistemet kompjuterike të SPAK u regjistrua mbrëmjen e 12 marsit 2025. Sipas SPAK, persona të paautorizuar ndërhynë në adresat e e-maile-ve të 3 prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit.
Personat përgjegjës arritën të marrin disa i formacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosjet hetimore të prokurorëve. Të njëjtët tentuan të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses. Një pjesë e materialeve hetimore të shkarkuara nga e-mailet e prokurorëve i janë dërguar dy gazetarëve, që, me qëllim të ruajtjes së sekretit, u urdhëruan më pas nga SPAK për mospublikimin e tyre. (A2 Televizion)
