
Një person i kërkuar nga drejtësia italiane është arrestuar nga policia në Kuçovë. Policia informon se 49-vjeçari Armando Pjetri është arrestuar pasi rezulton i dënuar me 29 vite burg si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Napoli.
Bashkë me të është ndaluar 53-vjeçari me inicialet A. H., banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sakaq, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të Armando Pjetrit.
NJOFTIMI I POLICISË
Si rezultat i një pune operacionale të mirëorganizuar, të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me DFPO-në, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, u finalizua operacioni “Rrjeta”.
Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga:
-shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Armando Pjetri, 49 vjeç;
-shtetasi A. H., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjykata e Apelit në Napoli e ka dënuar 49-vjeçarin, që strehohej nga 53-vjeçari, me 29 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Në banesën ku strehohej shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, në lagjen “1 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. (A2 Televizion)
