Paraburgimi “313” në kryeqytet do të vijojë të jetë streha e ish-presidentit, Ilir Meta, të paktën deri në një vendim tjetër gjyqësor. Vendimmarrja e së enjtes në Apelin e Posaçme, në zbatim të një ankimi të tij, nuk e nxori në liri, ish-kreun e shtetit të marrë të pandehur nga SPAK për tre vepra penale. Në Apel Meta kërkoi shfuqizim të masës “arrest në burg”, por gjykata vendosi të mos pranojë ankimin e bërë.
Vendimi i Apelit erdhi një ditë pasi Gjykata e Posaçme refuzoi një kërkesë të ish-presidentit për zbutje të masës së sigurisë. Ndërkohë, dy kërkesa të tjera me të njëjtin objekt janë në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, shkruan A2 CNN.
Pak para vendimit, gjyqtarja Irena Gjoka shty për në 28 tetor seancën gjyqësore për shqyrtimin paraprak të dosjes në ngarkim të ish-presidentit Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të bashkëpandehurve.
Shkak u bë mungesa e avokatëve në proces, për shkak të bojkotit të tyre 5-ditor, si revoltë ndaj arrestimit të kolegut të tyre Ulian Bajrami pas një debati gjyqësor. Justifikimi i tyre u konsiderua si shkak i paligjshëm nga gjykata, që vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Republikës. (A2 Televizion)