Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha kërkojnë çlirimin nga sekuestroja të gati 25 pasurive të luajtshme e të paluajtshme, të bllokuara për llogari të dosjes "Partizani".
Kërkesa penale me objekt "kthim sendi të sekuestruar" do të shqyrtohet nga trupa gjykuese e kësaj çështjeje, Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Burime pranë GJKKO bënë me dije se bashkëshortët Malltezi, kërkojnë çlirimin e pronave të sekuestrua me pretendimin se nuk janë të barasvlevshme me produktin e veprës penale të dyshuar.
Po sipas kërkuesve, disa prej pronave të bllokuara me vendim gjyqësore janë bashkëpronësi e Argita Malltezit, e cila nuk ka asnjë barrë penale në këtë çështje.
Pas arrestimit të Malltezit, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi në masën e sekuestros gati 25 pasuri, nga të cilat, 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.
Jamarbër Malltezi është një prej të pandehurve në dosjen “Partizani”, i akuzuar për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”, vepra që janë mohuar në vijimësi prej tij. (A2 Televizion)