Iu zhvatën 2 klientëve rreth 400 mijë euro, policia jep detaje për masat e sigurimit të punonjësve të bankës

Nga A2 CNN
3 Qershor 2026, 10:39 | Kronikë

Iu zhvatën 2 klientëve rreth 400 mijë euro, policia jep detaje

Pas Prokurorisë edhe policia e kryeqytetit ka dhënë detaje mbi masat e sigurimit të 11 punonjësve të bankës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas policisë punonjësit e një banke të nivelit të dytë, nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën respektive, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total”.

Policia njofton se pas kallëzimit të dy shtetasve dhe hetimeve është dhënë masa e sigurimit arrest me burg për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e një banke të nivelit të dytë, arrets në shtëpi për 5 punonjëse shërbimi dhe pezullim nga detyra për 4 punonjës të tjerë shërbimi të bankës.

“Në operacionin “Ërong Transaction”, pas një hetimi proaktiv rreth kallëzimeve të 2 shtetasve, kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan këto masa sigurie:

-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;

-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;

-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.

Në vijim, u shpall në kërkim shtetasja B. N., 25 vjeçe, gjithashtu punonjëse shërbimi, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Punohet për kapjen e saj”, njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos