Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, ka kritikuar ministren e Brendshme për shifrat e publikuara prej saj, lidhur me ngjarjet kriminale në vend.
Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Havari tha se ministrja e Brendshme duhet të jetë korrekte me punën e saj.
Havari gjithashtu tha se shqiptarët si popull janë të shthurur dhe nuk e duan rregullin. Sipas tij, 8 nga 10 shqiptarë nuk e duan ligjin. Ai shtoi se duke mos respektuar ligjet e shtetit, rruga për në BE bëhet më e vështirë.
“Unë i them ministers së Brendshme, që nëse do ta mbyllë me dinjitet atë punë, ta thërrasë atë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe t’i kërkojë t’i japë shifra zyrtare të sakta, jo mashtrime e gënjeshtra. Kështu ajo është korrekte me ndërgjegjen dhe punën e saj, si dhe me votuesit. Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera kanë një koeficient që bie ndesh me punën e tyre.
Nga analizat që kam bërë, në 10 persona, 8 nuk e duan ligjin. Është një popull i shthurur. Nuk u pëlqen rregulli, nuk jemi ne siç janë bota. Katërshe e bëjnë në aeroport radhën shqiptarët, ata jashtë qëndrojnë në radhë njëri pas tjetrit.
U bënë 35 vite, deri kur thoshte Migjeni. Kur do të qytetërohemi? Që të shkojmë në Europë duhet të mësojmë prej tyre. Ne nuk mësojmë prej tyre. Vijnë emigrantët këtu bëjnë cubin, se këtu nuk funksionon. Sepse nuk qarkullojnë patrulla policie në lagje”, tha mes të tjerash Havari. (A2 Televizion)
