Gazetari Roland Qafoku ngriti shqetësimin për situatën në sistemin penitenciar shqiptar, duke theksuar diferencën e madhe mes Shqipërisë dhe standardeve të Bashkimit Europian sa i përket numrit të të burgosurve dhe kushteve në qeli.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Qafoku deklaroi se Shqipëria vijon të mbetet shumë larg mesatares europiane, ndërsa solli edhe statistika për numrin e të paraburgosurve dhe të dënuarve në vend.
“Zakonisht kur mbyllet një burg, në mendje të shkon që duhet të hapet ndonjë shkollë, por në këtë vend çudia ndodh që prishet edhe ky rregull. Këtu mbyllen edhe shkolla, edhe burgje. Mbyllet sepse s’ka kushte! Kam nxjerrë disa shifra që besoj janë të rëndësishme për publikun. Sot në Shqipëri ka 5029 të burgosur. Ky numër për dy tre muaj më parë ka qenë gati 6500. Por e gjithë ajo që u bë për të paraburgosurit bëri që të ulej ky numër. Por ne kemi të paraburgosur megjithatë 2856 persona, dhe të dënuar 2123. Edhe pse u ul, numri i të paraburgosurve është i lartë. Ne kemi edhe një shifër tjetër, meqenëse sot po bëhet debati që duhet të kemi standardet e BE-së. E di sa larg jemi? Mesatarja e BE-së është 100 të burgosur për 100 mijë banorë. Shqipëria e ka 209. A e kupton ku jemi ne?! Kushtet pastaj…Në mes të Tiranës dy burgjet më të rëndësishme dhe ato janë jashtë kushteve”, u shpreh Qafoku.
(A2 Televizion)