Banorët e Manzës u zgjuan mëngjesin e të mërkurës me lajmin se dy të rinj kishin humbur jetën pas një konflikti banal gjatë orëve të para të mëngjesit.
“Na ka tronditur rëndë, por tani ndodhi, çfarë të bësh”, tregon një i moshuar për mediat, përcjell A2 CNN. Ai thotë se viktima Aranit Kurti ishte njeri shumë i mirë. “E njihja, e kam pasur kushëri madje... Ishte djalë shumë i mirë”, shprehet i moshuari.
Çfarë ndodhi?
A2 CNN ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes me armë të ndodhur pas mesnatës në Manzës.
Konflikti ka nisur për një kafe dhe gjatë debatit Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri Aranit Kurtin. Pas këtij veprimi 21-vjeçari Daniel Pepa ka vrarë me armë Flori Paluçin.
Kushëriri i Daniel Pepës është kamerier në lokalin ku ka ndodhur ngjarja. Është futur në lokal Flori Paluçi dhe ka kërkuar kafe, ndërkohë në atë orar ka qenë ekspresi i fikur dhe është konfliktuar me kamerierin Alteo Pepa, se pse nuk e ndizte ekspresin për t'i bërë kafe, raporton A2 CNN.
Ndërkohë ka ndërhyrë Aranit Kurti, shoku i Daniel Pepës, duke qenë se ishte kushëriri i shokut. Aty pastaj Flori Paluçi ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas ka ardhur Daniel Pepa dhe ka vrarë Flori Paluçin. (A2 Televizion)