“Ka 100 telefonë në një burg të sigurisë së zakonshme”, Çollaku: Kush i merr paratë?!

Nga A2 CNN
19 Maj 2026, 20:51 | Kronikë

Gazetari Basir Çollaku deklaroi se burgjet shqiptare vazhdojnë të përballen me korrupsion dhe ndikim të fortë të grupeve kriminale, duke theksuar se fuqia ekonomike dhe lidhjet politike të të dënuarve e bëjnë të pamundur kontrollin real të institucioneve penitenciare.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Dangli në A2CNN, Çollaku tha se vetëm qarkullimi i telefonave celularë brenda një burgu krijon të ardhura të mëdha informale. Gazetari bëri me dije se në burg të sigurisë së zakonshme flitet që mund të ketë rreth 100 telefona.

 “Po me thoshte një mik, që merret me informacionet e drejtësisë, që në një burg të sigurisë së zakonshme, mund të ketë 100 telefona. Që bën 500 euro për ta çuar, 1000 euro për ta mbajtur, edhe shkon 100 mijë euro në muaj. Kush i merr këto?! Është edhe i pataksuar, nuk paguajnë taksa e TVSH këta. Qeveria çon një drejtor policie, një drejtor burgu, por kur këta të burgosurit, sidomos këta të krimeve të rënda, që janë në shtabe elektorale, kur ai ka shok ministrin, deputetin, kryetarin e bashkisë, shok elektoral, shok pushteti dhe shok biznesi, dhe kur këta kanë këtë fuqi ekonomike dhe politike çfarë do t’i bëjë drejtori i burgut dhe gardiani, që merr një rrogë komike atje. Nuk ndryshon kjo në mendimin tim, ndërro sa të duash ministra, ndërro sa të duash drejtorë policie”, u shpreh gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos