
Zbulohen në Tiranë 4 raste të përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri. Në një operacion policor të zhvilluar në kryeqytet, autoritetet sekuestruan 16 kompjuterë për lojëra fati, tavolina për lojën “Poker”, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Në pranga përfunduan 5 shtetas, ndërsa 2 të tjerë (pronarë, administratorë dhe/ose punonjës të ambienteve) u shpallën në kërkim.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste të përshtatjes së ambienteve për zhvillimin e lojërave të fatit, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fati i Lojërave”. Gjatë operacionit u zbuluan 4 ambiente të përshtatura për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit”, tha policia.
U arrestua shtetasi Xhuljan Kaloshi, 34 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën 5 njësi kompjuterike, me të cilat zhvilloheshin lojëra fati.
U arrestuan shtetasit Klajment Çurri , 47 vjeç dhe Redion Muka, 42 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të 47-vjeçarit, ku ishte i punësuar shtetasi Redion Muka, u gjetën 4 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati.
U arrestua shtetasi Edmond Ndreka, 49 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. B., 32 vjeç, pasi në një ambient në administrim të 32-vjeçarit, me punonjës shtetasin Edmond Ndreka, u gjetën 7 njësi kompjuterike që përdoreshin për lojëra fati
U arrestua shtetasi Klodjan Vishkurti, 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. V., 60 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të këtij të fundit u gjetën tavolina pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se shërbenin për organizimin e lojërave të fatit. 22-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të prishë provat materiale.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme vijojnë në subjekte dhe ambiente të ndryshme. (A2 Televizion)