Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për të konsideruar të pavlefshme veprimet hetimore të Prokurorisë së Posaçme ndaj tij, raporton A2 CNN.
Veliaj kishte kërkuar pavlefshmëri të veprimeve hetimore të SPAK, por Shkalla e Parë e hodhi poshtë kërkesën e tij. Të hënën, Apeli la në fuqi vendimin.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme nuk ka vendosur ende mbi kalimin apo jo për gjykim të dosjes së kryebashkiakut të Tiranës. Pasi është shtyrë për dy herë, seanca paraprake do të zhvillohet më 21 tetor, në orë 09:00. Herën e fundit, shkak i shtyrjes u bë bojkoti i avokatëve për shkak të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit.
Veliaj ndodhet në burg që prej datës 10 shkurt, kur u arrestua nga autoritetet pas hetimeve të kryera nga SPAK. Më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest në burg" me një masë më të lehtë, duke lënë kështu në fuqi ndalimin.
SPAK kaloi për gjykim më 10 shtator dosjen në të cilën renditen 13 akuza për Erion Veliajn dhe 12 për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Akuzat për Veliajn janë ngritur për veprat penale korrupsioni pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe falsifikim të pasurisë. (A2 Televizion)