Fqinja e familjes në banesën e të cilës ra zjarr në Maliq, shtetasja Benereta Pashollari, ka rrëfyer për A2 CNN detaje nga ngjarja e rëndë, ku humbën jetën 2 pjesëtarë të familjes në fjalë, mamaja dhe djali i saj 14-vjeçar, si dhe u dëmtua rëndë vajza 6-vjeçare.
Pashollari tha se vajza 6-vjeçare e familjes, e cila është në gjendje të rëndë dhe u transportua drejt Tiranës, arriti të shpëtonte duke u hedhur nga dritarja e banesës.
Ajo zbuloi gjithashtu se familja në të cilën ra zjarr ishte në kushte të vështira ekonomike, teksa shtoi se të dy fëmijët ishin autik.
"Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët dhe i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj, plus që merrnin edhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali; djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nënë nuk kujdesej shumë për fëmijët. Në lagje u flisnim, u thoshim 'laji, shpërlaji'. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.
Unë për momentin nuk isha aty, por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerin dhe dihet që bën shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mund të dilnin.
Vajzën e shpëtoi një zonjë, kurse djali mbaroi me të vdekur. Doli kjo zonja rastësisht, se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës, i binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër, dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur", tha mes të Benereta Pashollari.
(A2 Televizion)