“Tërhoqëm djalin prej këmbe”- Fqinjia rrëfen tmerrin nga zjarri që i mori jetën nënës dhe 14-vjeçarit në Maliq

Nga A2 CNN
19 Tetor 2025, 15:09 | Kronikë

“Tërhoqëm djalin prej këmbe”- Fqinjia rrëfen

Ditën e sotme, një zjarr në një banesë në Maliq i mori jetën shtetases Merjeme Azizllari dhe djalit të saj 14-vjeçar, Valter Azizllari, ndërkohë që e dëmtuar rëndë ka mbetur edhe fëmija i vogël i familjes, vajza 6 vjeçare.

Fqinjia e familjes së prekur nga zjarri, shtetasja Xheme Kapali, ka folur për A2 CNN, ku ka shpjeguar edhe disa detaje nga ngjarja e rëndë.

Kapali shpjegoi se bashkë me një komshi tjetër, kur pane flakët në banesën e fqinjes, nxituan dhe nxorën prej aty, duke e tërhequr prej këmbe djalin 14-vjeçar.

Ajo tha gjithashtu se nuk ishin në dijeni se brenda ndërtesës ndodheshin edhe e ema e tij dhe djali 14-vjeçar, shkruan A2 CNN.

Kapali tregoi gjithashtu momentin që i babai i 14-vjeçarit që mbeti viktimë mësoi për ngjarjen e rëndë që i kishte ndodhur familjes së tij.

Ndërkohë A2 CNN, duke cituar burime pranë Bashkisë, ka mësuar se 14 vjeçari që mbeti viktimë ishte me aftësi të kufizuara dhe merrte kemp, si dhe frekuentonte edhe qendrën komunitare në Maliq.

“Kur dola që hodha plehrat, shikoja që fëmija qante në oborr. Thashë me vete, jalla si e ke lënë fëmijën të qajë. Kur vete unë ça të shikoje. Ishte shkrumb i zi. Thirra këtë komshiun këtu. Rimi i ra derës me këmbë dhe tërhoqëm djalin të dilte jashtë.

Asaj çupës i binte leshi, nuk e mbledh dot veten tani fare. Ishte tym, nuk dukej fare. Vetëm djali që ishte shtrirë mes korridorit, e tërhoqëm për këmbe dhe e nxorëm jashtë. Ne nxorëm fëmijën, por nuk e dinim ne që ishin të tjerët brenda.

Babai ishte në punë, e lajmëruam ne, erdhi dhe zuri kokën me dorë. Pastaj kur erdhi policia na përzunë, u morën ata vetë. As ne nuk e morëm vesh se qysh ndodhi”, tha mes të tjerash fqinjia Xheme Kapali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos