Kokaina nga Amerika Latine, Apeli lë në burg 10 të arrestuarit, nuk u pranon ankimin

Nga Xhensila Kodra
28 Dhjetor 2024, 13:32 | Kronikë

Apeli i GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 10 anëtarët e grupit kriminal për trafikun e kokainë në lëkurën e kafshëve, shkruan A2 CNN. Apeli nuk ka pranuar ankimin për një masë më të butë sigurie ndërsa mes të arrestuarve në operacionin e 15 nëntorit ishin dhe 3 të huaj, dy venezuelas dhe një kolumbian që dyshohet se do të bënin ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.

Ndërkohë, kokaina e shkrirë në lëkurë gjedhi që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës i është nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë lëndë narkotike do të ekstraktoheshin nga ndarja e 48 tonëve lëkurë gjedhi, shkruan A2 CNN. Nga hetimet rezultoi se kokaina vinte nga Amerika Latine dhe përpunohej në Fushë-Krujë. Gjatë operacionit u kryen kontrolle edhe në disa vila në rezidencën Kodra e Diellit, në Tiranë, aty ku jetonin me qira edhe tre shtetasit e huaj, ku dyshohej se banesat e tyre mund të kishin shërbyer si baza dytësore për anëtarët e grupit kriminal.

850 lëkurat e kriposura të gjedhit në të cilat ishte fshehur kokainë, do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Transporti do të bëhej në dy ngarkesa, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor, të cilat janë vëzhguar nga SPAK për të zbuluar se ku do të shkonte lënda narkotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos