Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, u kthye këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, për t’u përballur me akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në çështjen e inceneratorit të Tiranës, shkruan A2 CNN. Ndryshe nga gjykimet e dosjeve të inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit, në këtë proces Bllako gjykohet i veçuar nga të bashkëpandehurit e tjerë.
Në seancën e parë të shqyrtimit në themel, gjykata pranoi kërkesën e ish-deputetit për gjykim të shkurtuar, një lloj gjykimi që, në rast fajësie, i ul një të tretën e dënimit. Pasi prokurorët e SPAK lexuan kërkesën për gjykim, gjykata e konsideroi të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ftoi palët në konkluzionet përfundimtare dhe caktoi datën 29 janar për leximin e pretencës së SPAK kundër Bllakos.
Sipas Strukturës së Posaçme, në rastin e inceneratorit të Tiranës, Alqi Bllako ka përfituar përmes korrupsionit dy shuma monetare në vlerën 119 mijë euro dhe 7.5 milionë lekë për Vladimir Bezhanin, shkruan A2 CNN. Bllako i ka propozuar Bezhanit të vijonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur ideja e inceneratorit të Tiranës.
Referuar hetimit, për shërbimin e Bezhanit, Bllako i ka kërkuar biznesmenit Klodian Zoto ta punësonte fiktivisht në kompaninë e inceneratorit dhe të siguronte shumën prej 7.5 milionë lekësh. Po ashtu, thotë SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, vlerën monetare prej 119 mijë euro për blerjen e një makinerie për një fabrikë pijesh të babait të tij në Ersekë.
Në dhjetor të vitit të shkuar, GJKKO kaloi për gjykim dosjen me 12 të pandehur për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve edhe ish-ministri Lefter Koka. (A2 Televizion)