
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, la qelitë e burgut të Durrësit rreth orës 19:30, pak orë pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi lirimin e menjëhershëm, nëse ndaj tij nuk rëndonte një masë tjetër “arresti në burg”. Teksa u rigjykua në Gjykatën e Posaçme, në zbatim të një vendimi të Apelit, Bllako u fajësua për “korrupsion pasiv” në dy raste ku ka përfituar shumat prej gati 120 mijë euro dhe 7,4 milionë lekë, gjatë kantatës koncesionare të inceneratorit të Tiranës, shkruan A2 CNN.
Pas një kërkese të SPAK për dënimin e tij me 5 vite burg, gjykata vendosi të japë një dënim më të butë, 4 vjet heqje lirie, dënim që u ul në 2 vjet e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e Posaçme i la mbi supe Bllakos edhe një dënim plotësues, heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Në të njëjtin vendim, gjykata urdhëroi lirim të menjëhershëm të Bllakos, nëse nuk mbahej i izoluar për një shkak tjetër të ligjshëm, për shkak se koha e qëndrimit të tij në paraburgim ishte me e gjatë se masa e dënimit.
Vendimi i së martës ishte i njëjtë me atë që Bllako mori për të njëjtën çështje në 11 mars, por që u prish nga Apeli i Posaçëm dhe u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë me një trupë të re gjyqtarësh.
Më herët, Alqi Bllako ka marrë një dënim me 2 vjet e 8 muaj burg për paligjshmëri në aferën e inceneratorit të Elbasanit, si edhe një dënim me 4 vite burg për atë të inceneratorit të Fierit, çështje që është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Por ndërsa Bllako fitoi lirinë, ish-shefi i tij në Ministrinë e Mjedisit, Lefter Koka, vijon të jetë në qeli. Një javë më parë Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e tij për shuarje të masës “arrest në burg” për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar të paraburgimit. Nga ana tjetër, të konsideruarit si “koka” të inceneratorëve, biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja, kanë marrë dënime nga 6 vjet e 8 muaj deri në 11 vite burg, por asnjë prej tyre nuk është në burg, pasi vijojnë t’i fshihen drejtësisë. (A2 Televizion)
