Lihet në burg 32-vjeçari që vrau djalin e xhaxhait në Vlorë, ja çfarë deklaroi në gjyq

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 12:54 | Kronikë

Lihet në burg 32-vjeçari që vrau djalin e xhaxhait në

Në një seancë gjyqësore që zgjati rreth dy orë në Gjykatën e Vlorës, togat e zeza i komunikuan masën e sigurisë “arrest në burg” Bertil Alliajt, i cili katër ditë më parë ekzekutoi me armë zjarri djalin e xhaxhait, Dalan Alliaj.

Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura, ndërsa Bertil Alliaj u shoqërua për në sallën e gjyqit nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

A2 CNN mëson se para gjyqtarëve të çështjes Alliaj ka deklaruar: "Nuk jam në gjendje të flas, jam dakord me çdo gjë që thotë avokati". Ai përfaqësohej në seancë me avokatin Redi Llanaj.

Bertil Alliaj ekzekutoi kushëririn e tij Dalan Alliaj katër ditë më parë në fshatin Gjorm të Vlorës.

32-vjeçari u arrestua në malet e fshatit Gjorm pas disa orë kërkimesh nga policia pas ngjarjes së rëndë. Përmes një njoftimi, Policia sqaroi se ishte sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.

Ai është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në mungesë me 35 vite burg për vrasje dhe rezultonte i shpallur në kërkim si autor i masakrës së Çoles ku mbetën të vrarë tre të rinj.

Një konflikt për motive banale degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit nga dy grupe me tre djem të moshave 18-21 vjeç secili dhe la pas tre viktima. Të dënuar më parë për masakrën e Çoles janë edhe Aleksander Llanaj si dhe Ani Begaj i kapur dy vite më parë pas disa viteve në arrati, ndërsa Bertil Alliaj kishte qenë në arrati prej vitit 2015. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos