Tratativa për t’i shitur kokainë një shtetasi të huaj, ka çuar pas hekurave një të ri në qytetin e Sarandës.
Policia sqaron se 19-vjeçari shpërndarës i lëndës narkotike është përplasur fizikisht me “klientin” e tij nga Algjeria, çka ka çuar në ndërhyrjen e uniformave blu.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin O. H., 19 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, ndërsa kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasin D. T., 22 vjeç, me shtetësi algjeriane. Gjatë tentativës së 19-vjeçarit për t’i shitur lëndë narkotike (kokainë) shtetasit algjerian, mes tyre ka nisur një konflikt fizik, ku të dy kanë marrë dëmtime të lehta trupore”, bën me dije policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë.
(A2 Televizion)
