
Nën masa të rrepta sigurie ka mbërritur në mesditë në Gjykatën e Shkallës së parë në Vlorë, Bertil Alliaj për t’u njohur me masën e sigurisë. Alliaj është transportuar në gjykatë nën shoqërimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ai akuzohet si vrasësi i djalit të xhaxhait të tij, shtetasit Dalan Alliaj. Ngjarja ndodhi katër ditë më parë në fshatin Gjorm të Vlorës.
32-vjeçari u arrestua në malet e fshatit Gjorm pas disa orë kërkimesh nga policia pas ngjarjes së rëndë. Përmes një njoftimi, Policia sqaroi se ishte sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.
32-vjeçari është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në mungesë me 35 vite burg për vrasje dhe rezultonte i shpallur në kërkim si autor i masakrës së Çoles ku mbetën të vrarë tre të rinj.
Një konflikt për motive banale degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit nga dy grupe me tre djem të moshave 18-21 vjeç secili dhe la pas tre viktima. Të dënuar më parë për masakrën e Çoles janë edhe Aleksander Llanaj si dhe Ani Begaj i kapur dy vite më parë pas disa viteve në arrati, ndërsa Bertil Alliaj kishte qenë në arrati prej vitit 2015. (A2 Televizion)



