Avokati Arbër Hoxha, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Danglli në A2 CNN, ka ngritur shqetësimin për një zbatim selektiv të ligjit penal ndaj shqiptarëve në disa shtete të Bashkimit Europian, sidomos në Belgjikë dhe Holandë.
“Ashtu siç janë shprehur edhe disa media prestigjioze në Belgjikë dhe në Holandë, ka një zbatim selektiv të ligjit penal material në raport me shqiptarët,” u shpreh Hoxha.
Ai solli shembullin e përdoruesve të aplikacionit të komunikimit të koduar Sky ECC, i cili është përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale në Europë. “Sipas të dhënave, ka rreth 170 mijë përdorues të Sky ECC, ndërsa shqipfolësit, pra shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe diasporës, janë nga 10 deri në 16 mijë përdorues, që përbëjnë rreth 6 deri në 9 për qind të totalit,” tha ai.
Megjithatë, sipas Hoxhës, përqindja e të dënuarve shqiptarë është shumë më e lartë se pjesëmarrja e tyre në këtë platformë. “Vetëm në Belgjikë janë dënuar mbi 640 persona shqiptarë, një shifër disproporcionale në krahasim me shtetasit belgë apo të tjerë të BE-së,” theksoi avokati.
Ai vuri në dukje se ky fenomen është më i theksuar në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa në Francë dhe Itali ligji zbatohet më pak në mënyrë selektive, por prapë me dallime. “Ka një targetizim të qartë ndaj shqiptarëve, një lloj selektivizmi në zbatimin e ligjit, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare nuk arrijnë në nivelet e strukturave mafioze klasike europiane,” shtoi Hoxha. (A2 Televizion)